Shqipëria heq vizat për turistët nga 13 shtete
Për herë të parë këtë verë, Shqipëria pritet të heqë vizat me 13 vende të botës për qëllime turistike.
Lajmi është komunikuar sot nga ministri i Zhvillimit Ekonomik dhe Turizmit Arben Ahmetaj, gjatë një takimi me operatorët turistikë shqiptarë, me rastin e 10 vjetorit të krijimit të Unionit të Operatorëve Turistikë të Shqipërisë.
Ahmetaj deklaroi se po diskutohet me Ministrinë e Jashtme propozimi për heqjen e vizave për disa destinacione, siç është Kina, Rusia, apo Bjellorusia, që kanë treguar interes për turizmin shqiptar.
"Ministria jonë ka përgatitur një paketë mbështetëse për turizmin. Ju e keni fiksimin te taksat, por aty ka shumë më shumë, dhe ato shumë më shumë do ju pëlqejnë më shumë se taksat. Një nga elementët e paketës është që Ministria jonë i bën specifikisht Qeverisë dhe Ministrisë së Jashtme për të hequr apo lehtësuar vizat nga destinacione që ju (operatorët turistikë) na keni sugjeruar. Janë gati 12 apo 13 vende që ju mendoni se mund ta furnizojnë turizmin shqiptar me turistë, që është Kina, vende të Lindjes së Mesme, le të themi Rusia etj. Pra, të kemi një regjim lehtësimi vizash në mënyrë që ju kur të bëni kontratën të mos keni sikletin e vizave nga X apo Y vend, por të ketë një mobilitet shumë më të thjeshtuar. Për shembull, për turistët kinezë po kërkojmë që përveç lehtësimit të regjimit tonë të jetë automatike, për ata që kanë viza Shengen; pra qytetarët kinezë që kanë viza Shengen të futen pa vizë në territorin shqiptar pra t'ju mjaftojë viza Shengen," tha Ahmetaj.
Lidhur me heqjen e ekskluzivitetit të fluturimeve për aeroportin e Rinasit, ministri tha se negociatat po shpejtohen, për të hapur edhe tre aeroporte të reja në Vlorë, Sarandë dhe Kukës, gjë që do të sjellë ulje të çmimit të biletave, shkurtim të kohës për të shkuar në pikat turistike, dhe mbi të gjitha rritjen e numrit të turistëve.
"Jemi duke negociuar me shumë seriozitet heqjen e ekskluzivitetit të aeroportit të Rinaist për fluturimet ndërkombëtare, dhe qeveria është jashtëzakonisht shumë serioze dhe shumë e fokusuar në hapjen e të paktën dy aeroporteve të reja që të lejojnë loë-cost, plus një aeroport që do të jetë në një standard tjetër. Pra jemi duke u fokusuar te aeroporti i Vlorës, te aeroporti i Sarandës dhe te aeroporti i Kukësit. Unë jam i bindur që ulja e tarifave, ulja e biletave, ulja e çmimeve do rrisë mobilitetin e shqiptarëve, por do të rrisë patjetër numrin e turistëve. Sigurisht që në krahasim të konkurrueshmërisë me rajonin, unë kam kërkuar edhe uljen e TVSH-së, e cila është shumë e d****ueshme dhe shumë e vështirë, dhe besoj e domosdoshme dhe do të jetë një betejë pozitive, me ministrin e Financave," tha më tej Ahmetaj.
Ligji i ri për turizmin pritet të hyjë në fuqi më 10 qershor, dhe qeveria shpreson që përmes rritjes së numrit të turistëve, do të ketë më shumë të ardhura, dhe një rritje më të lartë ekonomike, kjo edhe përmes zhvillimit të turizmit gjithëvjëtor. Vitin e kaluar të ardhurat nga turizmi kanë qenë në shumën e 1.3 miliardë lekëve, por ministri Ahmetaj tha se synimi për vitin 2015 është që të kalohet kjo shifër.
http://www.indeksonline.net/?FaqeID=2&LajmID=161588